Kursi për konservimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore do të mbahet në Butrint nga 01 - 21 Korrik 2012, duke u bazuar edhe në përvojën pozitive të viteve të mëparshme (2010, 2011).
Kursi është një sukses i arritur në sajë të bashkëpunimit të ngushtë midis Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik - Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Fondacionit të Trashëgimisë Shqiptare (AHF), Fondacionit Butrinti (BF) dhe Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Duke u organizuar në një sit shumë të rëndësishëm arkeologjik, si Butrinti, kursi fillimisht do të përqendrohet në një vështrim të qasjeve për konservimin e trashëgimisë arkeologjike, si dhe mbi studimin e karakteristikave dhe teknologjive të strukturave arkeologjike duke analizuar faktorët që çojnë në një dëmtimin e tyre.
Kursi do të fillojë duke i familjarizuar studentët me konceptet e trashëgimisë kulturore, perceptimin e vlerave të trashëgimisë dhe të kuptuarit e tipologjive të trashëgimisë dhe variacionet e tyre nga një vend në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën. Rëndësi do t'i kushtohet identifikimit të vlerave të Butrintit dhe pse është i nevojshëm konservimi i tyre. Në këtë kuptim Vlerësimi i riskut (risk assessment) do të kryhet në sit duke vënë në dukje faktorët kryesorë të dëmshëm të pranishëm të cilët mund të iniciojnë proceset degraduese në monumente. Ky ushtrim do të shtrihet edhe në monumentet jashtë mureve të qytetit të tilla si Kalaja trekëndore dhe ajo e Ali Pashës.
Vëmendja do u kushtohet dy faktorëve kryesorë: bimësisë dhe ujit. Pastrimi i vegjetacionit do të zhvillohet në pikat e përzgjedhura, përgjatë mureve rrethues të qytetit ku dhe do të kryhen më tej konservime. Studentët do të marrin njohuri mbi mjetet mekanike dhe kimike (herbicid) të nevojshme për trajtimin e bimësisë.
Të organizuar në grupe, studentët do të punojnë punime studimore në tre monumente të ndryshme. Ata do të mësojnë se si të aplikojnë metodat dhe mjetet praktike ndërdisiplinore për të analizuar efektet vizuale të erozionit dhe vlerësimin e riskut në zonat e ekspozuara arkeologjike, struktura dhe elementet dekorative. Kjo do të përfshijë rishikimin e metodologjisë dhe mjetet e përdorura për dokumentacionin në vend, përpunimin grafik dhe paraqitjen në klasë të të dhënave nëpërmjet prezantimeve me PowerPoint.
Këto ushtrime studimore (case study) do të kontribuojnë gjithashtu në rritjen dhe nxitjen e diskutimit në mesin e studentëve, duke i bërë ata më analitikë në përcaktimin e proceseve tjetërsuese që janë gjithnjë të pranishëm në monumentet arkeologjike. (bazuar në modelin e ICCROM).
Java e dytë dhe e tretë e kursit do të realizohet plotësisht në sit, duke i dhënë studentëve mundësinë për të punuar direkt në konservimin e një monumenti (segmenti nga muri mbrojtës lindore). Ata do të mësojnë se si të përgatisin llacin antik dhe si të aplikojnë teknikat bazë të konsolidimit dhe të konservimit.
Kursi organizohet falë bashkëpunimit të ngushtë midis Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) Fondacionit të Trashëgimisë Shqiptare (AHF), Fondacionit Butrinti (FB), Parkut Kombëtar të Butrintit.
Për informacione të mëtejshme vizitoni: www.albanianheritage.net