Pas paraqitjes së projektit pranë Sekretarisë Teknike të KKA (Nr. 48. Prot., datë 06. 04. 2012) nga subjekti ‘‘AYEN-AS ENERGJI’’ SHA, në datë 24. 04. 2012 u realizua vëzhgimi intensiv arkeologjik nga ana e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik me asistencën teknike edhe të përfaqësuesve të firmës zbatuese të punimeve.
Hidrocentralet Gojan, Gjegjan, Peshqesh dhe Ura e Fanit do të shfrytëzojnë potencialin hidroenergjetik të lumenjve Fan i Madh dhe Fan i Vogël. Në rang të projekteve energjetike të lumenjve Fani i Madh dhe Fani i Vogël, potenciali energjetik i lumit Fan i Madh është midis kuotave 428.00 m dhe 34.00 m. Në përfundim të studimeve alternative është planifikuar që projekti të vlerësohet në katër faza:
1-Rregullatori i Gojanit dhe HEC i Gojanit.
2- Rregullatori i Gjegjanit dhe HEC i Gjegjanit.
3- Rregullatori i Fanit të Madh dhe rregullatori i Fanit të Vogël me HEC e Peshqeshit.
4- Diga e Urës së Fanit dhe HEC i Fangut.
Hidrocentralet Gojan, Gjegjan, Peshqesh dhe Ura e Fanit do të ndërtohen mbi shtratin e lumenjve Fan i Madh dhe Fan i Vogël. Me këtë projekt do të bëhet i mundshëm vlerësimi energjetik i lumit Fan i Madh midis kuotave 428.00 m 34.00 m. Punimet e ndërtimit të hidrocentraleve si veprat e marrjes, kanalet e përcjelljes së ujit, trasetë e planeve të pjerrëta të montimit të tubacioneve të presionit, godinat e prodhimit të energjisë, trase e rrugëve të shërbimit në funksion të veprave të sipërpërmendura do të ndërtohen në rrethin Mirditë.
Gjithë gjatësia e vëzhguar shkon deri në 2 km. Ky vëzhgim u realizua nga 2 persona. Njëri prej vëzhguesve paraprakisht realizoi matjet me GPS në hyrje, në veprat e marrjes si dhe në sipërfaqet që do të përmbyteshin duke marrë të gjitha pikat e sipërfaqes së përgjithshme të piketuar prej zbatuesit. Hedhja e të gjitha pikave të marra në hartë bëri të mundur paraqitjen grafike të gjithë zonës së vëzhguar me një marzhë gabimi prej ± 3 m.
Puna në terren dhe më pas hartimi i dokumentacionit përkatës u mundësua nga:
1. GPSMAP Gramin 60CSx, me marzhë gabimi ± 3 m
2. Piketimet e zonës së destinuar për ndërtimin e HEC-it
3. Harta topografike e zonës 1 : 5 000 dhe 1 : 25 000
4. Foto ajrore e zonës së destinuar për HEC (marrë nga Google Earth).
Sipas raportit gjeologo – inxhinierik, dorëzuar në dokumentacionin e Sekretarisë Teknike dhe survey-t të kryer nga specialistët e ASHA-s, terreni ku është projektuar që të shtrihej tubacioni ishte një reliev tipik kodrinoro – malor, zona përbëhej nga një reliev i pjerrët formacionesh shkëmbore dhe në përgjithësi ishte me shkurre dhe pemë të larta
Specialistët përshkruan një sipërfaqe afërsisht 2 km të ndarë në tetë trakte, secili nga traktet ishte afërsisht 250 m. Traktet përfshijnë në pjesën më të madhe të tyre daljet e tuneleve nëpër të cilat do të kalojnë tubacionet e presionit dhe më pak pjesën që do të përmbytet. Pasi, pjesa që përmbytet është terren i pakalueshëm përmes grykës së lumit të Fanit të Madh. Shikueshmëria në traktet e vëzhguara ishte relativisht e mirë. Nga vëzhgimi i trakteve nuk u has në asnjë gjetje arkeologjike. Gjithashtu, nga shqyrtimi i literaturës dhe i listës së monumenteve të kulturës rezulton se nuk ka të dhëna arkeologjike dhe monumente në zonën ku do të ndërtohet hidrocentrali.