Misioni i ASHA

Agjencia e Shërbimit Arkeologjik është institucion qendror në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ushtron veprimtarinë e saj në mbështetje dhe në zbatim të  Kushtetutës, të Ligjit Nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për Trashëgiminë Kulturore” (i ndryshuar), si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA)  është krijuar me  VKM nr.724, datë 21.05.2008 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik”.

Misioni i ASHA-s është:

  • Ushtrimi i veprimtarisë në fushën e mbrojtjes së vlerave kulturore që preken nga punimet ndërtuese të çdo natyre, nga planet për rregullimin e territorit, si dhe gjetjet arkeologjike rastësore.
  • Mbikëqyrja e proceseve arkeologjike të shpëtimit në rastet kur këto kryen nga subjekte private të licencuara nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA).
  • Bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore dhe Institucionet shtetërore të specializuara për mirëadministrimin dhe mbrojtjen e vlerave arkeologjike të trashëgimisë kulturore.

Veprimtaria e ASHA-s është:

  • Objekti i veprimtarisë së ASHA është mbrojtja e vlerave të trashëgimisë (kulturore) arkeologjike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë që preken nga punime me karakter ndërtues të çdo natyre dhe planeve për rregullimin e territorit, nëpërmjet kryerjes së proceseve arkeologjike (kqyrjen, vëzhgimin sipërfaqësor, sondazhet dhe gërmimet e shpëtimit).
  • Bën ndjekjen e gjetjeve arkeologjike rastësore që dalin gjatë punimeve bujqësore, të ndërtimit, veprave inxhinierike ose konstruksioneve ndërtimore dhe merr masa për shpëtimin e këtyre vlerave.
  • Koordinon dhe mbikqyr kryerjen e proceseve arkeologjike nga subjektet private të licencuara nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.
  • Zhvillon një sistem unik kombëtar të hedhjes së informacionit nga terreni, mbështetur në teknologjinë më të përparuar GPS dhe GIS në bashkëpunim të ngushtë me institucionet shtetërore të specializuara dhe institucione të huaja.
  • Bashkëpunon për përgatitjen dhe zbatimin e rregulloreve për administrimin e zonave arkeologjike, zonave të mbrojtura të monumenteve të kulturës, parqeve arkeologjike.
  • Bashkëpunon dhe kontribuon në rritjen cilësore të muzeve të vendit duke u vendosur në dispozicion gjetje arkeologjike të caktuara.
  • I propozon ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore përmirësimin e akteve ligjore e nënligjore që kanë të bëjnë me objektin e punës së saj, duke argumentuar arsyet që lidhen me këto propozime.
  • Shërben si Sekretari Teknike e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Në këtë funksion harton kriteret e paraqitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor të aplikimeve për projekte me karakter zhvillimor, kërkimor-shkencor, të objekteve për legalizim që poziocionohen në zonën “B” arkeologjike dhe të gjithë proceseve të tjera arkeologjike që do të paraqiten për  shqyrtim në KKA nga institucione të specializuara, individë/subjekte private të licencuara si dhe nga specialistë të ASHA. Listat e kërkesave për shqyrtim të aplikimeve gjënden në faqen zyrtare të ASHA, www.asha.gov.al.
  • ASHA në veprimtarinë e saj synon sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me institucionet homologe dhe strukturat rajonale, europiane dhe ndërkombëtare të arkeologjisë.
  • ASHA përfaqëson Republikën e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare të arkeologjisë, si dhe merr pjesë ne veprimtari të ndryshme që organizohen jashtë vendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.